Një dokument me 42 faqe, 30 milionë dollarë të ricikluar, 32 akuza të reja, që shkojnë për mashtrimin fiskal dhe bankar që mund t’i kushtojnë shumë vite burg.
Prokurori i Posaçëm i “rusiagate”, Robert Mueller, bën përpara me hetimet dhe depoziton akuza të reja, të rënda kundër dy prej personave kyçe të fushatës elektorale të Donald Trump, Paul Manafort, shef i fushatës në muajt qershor-gusht 2016 dhe krahut të djathtë të tij në biznes dhe politikë, Rick Gates.
Akuzat e reja i shtohen 12 të mëparshmeve mbi Manafort dhe Gates, të ngritura tetorin e kaluar, ndër të cilat konspiracion dhe riciklim parash gjatë punës si lobistë në shërbim të qeverisë ukrainase.
Akuzat e reja kanë të bëjnë në një pjesë të madhe me të njëjtën temë dhe për momentin nuk marrin në konsideratë aktivitetin e tyre të lidhur me fushatën elektorale të Trump.
Manafort akuzohet se ka bërë evazion fiskal nga 2010 në 2014 dhe se ka fshehur llogaritë bankare që zotëronte jashtë vendit. Në dokumentin e ri, thuhet se Manafort dhe Gates, mes viteve 2006-2015 kanë vepruar si agjent të paregjistruar të një qeverie të huaj dhe të partive politike të huaja, veçanërisht qeverisë dhe presidentit të Ukrainës.
Një aktivitet në të zezë që ka gjeneruar dhjetëra e miliona dollarë të ardhura. Veçanërisht Manafort me ndihmën e Gates, ka ricikluar 30 milionë dollarë, para këto që i janë fshehur departamentit të thesarit dhe atij të drejtësisë. Akuzat e reja mbërrijnë vetëm pak ditë pasi avokati Aleks van der Zwaan u deklarua fajtor në një gjykatë federale në Uashington pasi pranoi se kishte gënjyer FBI mbi raportet e tij me Rick Gates.
Top Channel