Punonjës të bypass-it Fier-Vlorë kanë dalë paraditen e së enjtes në protestë para Kuvendit për të kërkuar rrogat e pashlyera kundrejt tyre. Pranë tyre është afruar edhe kreu i PD, Lulzim Basha bashkë me deputetë të tjerë, i cili u garantoi mbështetje dhe zgjidhje të problemit të tyre.
E sipas Bashës, detyrimet ndaj punonjësve nuk po shlyhen si pasojë e korrupsionit kryeministror. Pasi siç thekson ai, firma kontraktore ka lënë një garanci, e cila është mëse e mjaftueshme për të shlyer detyrimet, por këto para, gjithnjë sipas Bashës, nuk po shlyhen sepse Rama dhe ministri Gjiknuri duan t’i mbajnë për vete.
“Unë dhe PD ju ka dëgjuar, e njohim problemin tuaj. Mosmarrja e parave është pasojë e korrupsionit. Firma kontraktore ka lënë një garanci tek shteti shqiptar. Kjo garanci mjafton dhe tepron për të shlyer detyrimet që kjo kompani mashtruese u ka punëtorëve. Sipas informacionit tonë kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion. Ju nuk i merrni lekët sepse Rama dhe Gjiknuri janë përfshirë në një aferë për t’i marrë këto para për vete. Ne do të ngremë zërin që këto fonde të zhbllokohen një orë e më parë. Nuk mund të jetë shteti i drejtë që kur vjen puna te detyrimet të vë gjobën e të arreston. Dhe kur vjen puna tek të drejtat nuk i respekton. Shteti është përgjegjëse për t’u përgjigjur. Do të bëjmë gjithçka që ju t’i merrni paratë që ju detyrohet shteti shqiptar”, u shpreh Basha.
Top Channel