Presidenti amerikan Donald Trump e ka një strategji për të parandaluar masakra si ajo e javës së shkuar në një shkollë në Florida, ku humbën jetën 17 vetë: Të armatosen mësuesit!
“Një pjesëtar i stafit me një armë në duar mund t’i japë fund një sulmi shumë shpejt”, tha ai. Trump e bëri propozimin, ndërsa të mbijetuar të masakrës së 14 shkurtit iu lutën atij të garantonte, që një gjë e tillë nuk do të përsëritej më.
“Nëse ju do të kishit pasur një mësues të pajisur me armë zjarri, ai do të kishte mundur t’i jepte fund shumë shpejt sulmit. Nëse mësuesve do t’u jepeshin armë, do të shkonin në trajnime të posaçme dhe ju nuk do të ishit të rrezikuar”, tha Trump.
Dhjetëra shtete amerikane kanë lejuar armë dore në ambiente shkollash, por jo shteti i Floridës. Presidenti Trump, ndërkohë, mbështeti apelet për përmirësimin e kontrollit të të dhënave për blerësit e armëve.
“Do të jemi shumë të rreptë në kontrollet paraprake për blerësit e armëve, shumë të rreptë për sa i takon edhe shëndetit mendor të blerësit. Nuk janë vetëm fjalë, si në të kaluarën”, tha Trump.
Rreth 40 nxënës, mësues dhe familjarë të viktimave morën pjesë në takimin me presidentin Trump. Disa prej tyre shprehën gjatë takimit njëorësh mbështetje për idenë e Trumpit për armatosjen e mësuesve.
Ndërkohë, të mbijetuarit e sulmit marshuan drejt kryeqendrës së Floridës, Tallahassee, për t’iu kërkuar ligjvënësve të kufizojnë shitjen e armëve. “Ne duam reformë armësh. Duam ligje të ashpra për to”, thanë ata.
Top Channel