Ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakoyannis ka akuzuar ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias se po kryen një marrëveshje sekrete me Shqipërinë, në mënyrë që të bëhen ndryshime që plotësojnë kërkesat e palës shqiptare për sa i përket marrëveshjes së delimitimit të zonës detare midis dy vendeve, e nënshkruar nga vet ajo dhe homologu i saj Lulzim Basha në vitin 2009.
Duke thirrur në interpelancë zotin Kotzias, ajo shtron 3 pyetje:
– Për çfarë arsyesh, qeveria po shkon drejt një procesi rishikimi të marrëveshjes për zonat detare të vitit 2009, e cila u rakordua dhe u nënshkrua nga Greqia dhe Shqipëria?
– Cilat pjesë të marrëveshjes po planifikon qeveria greke të rishikojë?
– A është e vërtetë se qeveria synon të ndryshojë pozicionimin e përhershëm të Greqisë për sa i përket përcaktimit të zonave detare në bazë të “vijës së mesme”?
Sipas ish-ministres greke, komuniteti shkencor ndërkombëtar në atë kohë kishte vendosur se marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Greqi ishte e balancuar dhe reciprokisht e dobishme dhe e aplikonte në mënyrë shembullore parimin e “vijës së mesit” në delimitimin e zonave detare.
Dora Bakoyannis thotë gjithashtu se Shqipëria nuk e zbatoi në vitin 2009 marrëveshjen, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike brenda Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, ajo akuzon Kotziasin se ka në plan të ndryshojë vijën kufitare, duke i “ofruar” vendit fqinj një zonë të madhe detare pranë Korfuzit. Ajo paralajmëron se operimet e fundit qeveritare bartin rreziqe nëse Athina pranon disa pozicionime shqiptare mbi çështjet në lidhje me delimitimin, në bazë të ishujve pranë Korfuzit, duke u krijuar precedentë negativë për përcaktimin e kufijve në një zonë tjetër detare.
Qeveria – përfundon Bakoyannis, – po e trajton këtë çështje kombëtare në mënyrë të paqëndrueshme dhe të papërgjegjshme. Pa mirëkuptimin e nevojshëm me forcat politike të vendit, qeveria “Tsipras” është e gatshme të pranojë anulimin efektiv të marrëveshjes së mëparshme, thekson ajo.
Top Channel