Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, duhej të takohej me zyrtarët koreanoveriorë në Lojërat Olimpike Dimërore, javën e shkuar, thanë zyrtarë amerikanë, por, koreanoveriorët u tërhoqën në momentin e fundit.
Pence ndodhej në Korenë e Jugut për hapjen e Lojërave Olimpike. Një zëdhënës tha se ai do të takohej me motrën e liderit koreanoverior, Kim Yo Jong dhe ky do të kish qenë ndërveprimi i parë zyrtar mes Koresë së Veriut dhe administratës Trump. Zëdhënësja e departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, pranoi diskutimin e një takimi të tillë.
“Kur mundësia e një takimi të shkurtër me delegacionin koreanoverior u ngrit, zoti Pence ishte i gatshëm ta shfrytëzonte atë me qëllim që të nënvizonte nevojën që koreja e veriut të hiqte dorë nga programet e saj raketore dhe bërthamore. Në minutën e fundit, Koreja e veriut u tërhoq. Ne na vjen keq për humbjen e kësaj mundësie”, tha Heather Nauert, zëdhënëse e departamentit të shtetit.
Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore u pa si një kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet e tensionuara në gadishullin korean. Por ka edhe pretendime se Peniani po e shfrytëzon eventin thjeshtë për të përmirësuar imazhin e tij ndërkombëtar.
Vetë zv/presidenti Pence është kritikuar për mos angazhimin diplomatik me koreano veriorët gjatë qëndrimit të tij në Korenë e Jugut. ai u ul vetëm disa metra larg Kim Yo Jong gjatë lojërave, por nuk kishte ndërvepruar me të duke thënë se nuk besonte se ishte e përshtatshme që SHBA ti jepte asaj sadopak vëmendje në atë rast.
Top Channel