Ish-ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj u pyet nga prokurorja e dosjes së rrugës Tiranë-Elbasan për hetimet e nisura mbi abuzimet me fondet për ndërtimin e këtij aksi.
Dervishaj, që mbajti detyrën e ministrit si përfaqësues i LSI-së gjatë viteve 2016-2017 dha dëshminë e tij para prokurores Elisabeta Imeraj në cilësinë e personit që ka dijeni.
Grupi i hetimit kërkon të hedhë dritë mbi dyshimet paraprake duke futur në listën e atyre që po pyeten edhe funksionarë e ish-zyrtarë të lartë, jo vetëm të Autoritetit Rrugor, por edhe të ministrisë përkatëse.
E tillë ishte edhe dëshmia e ish-ministrit tjetër Edmond Haxhinasto, ndaj të cilit, siç edhe ndaj pasaardhësit të tij pyetja kryesore e adresuar ishte çfarë veprimesh kanë kryer ata sapo janë vënë në dijeni për dëmin e shkaktuar.
Edhe Sokol Dervishaj ka këmbëngulur se ka bërë detyrën dhe zbatuar ligjin, sikurse paraardhesi i tij Haxhinasto, i cili një ditë më parë i tregoi grupit të hetimit se e kishte deleguar problematikën në Kryeministri.
Në listën e Prokurorisë pritet të pyetet edhe ministri Damian Gjiknuri, që dorëzoi pas një auditi ku evidentoheshin shkeljet dorëzoi një kallëzim ndaj ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor.
Për këtë arsye pritet të pyetet edhe drejtori i Përgjithshëm i këtij autoriteti, Afrim Qëndro, si edhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të cilët do të japin versionin e tyre se si u firmosën 12 ndryshime në kontratën fillestare, sipas të cilës duhej të ndërtohej rruga Tiranë-Elbasan.
Prokuroria thotë se shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në amendimet e kontratës, ndryshime që nisin nga shtyrja e afatit të punimeve, deri në reagimin me dy vjet vonesë në këtë aks, pavarësisht se aty kishte rrëshqitje dheu.
Top Channel