Qeveria miratoi një javë më parë skemën e re financiare që synon të mbështesë fermerët. Në dispozicion janë shumë para: 23 milionë euro janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare dhe 71 milionë janë fonde europiane. Por sipas ekspertit Ndoc Fasllia, 70% e fermerëve nuk do të mund të përfitojnë dot nga këto fonde.
Qeveria miratoi një javë më parë skemën e re financiare që synon të mbështesë fermerët. Por deri sot nuk ka një udhëzim se kur duhet të fillojnë aplikimet. Në çdo rast shpallja e fermerëve fitues do të kërkojnë kohë. Por muajt shkurt-mars janë muaj mbjelljesh dhe mungesa e kohës mund të penalizojë ata fermerët që kanë nevojë tani për para.
“Jemi në mesin e muajit shkurt dhe akoma nuk ka një udhëzim të ministrisë së Bujqësisë dhe ministrisë së Financave në të cilin të përcaktohen kur do fillojnë procedurat e aplikimit, si do kryhet aplikimi dhe kur do të mbyllet aplikimi. Do të kërkohen 45 ditë. Pra, nëse procesi do të kishte filluar sot, i bie që të mbyllet në fundin e muajit mars, në një kohë kur fundi i marsit, teknikisht është një afat i papërshtatshëm, në mënyrë të veçantë për zonat e ulëta të vendit dhe ultësirën perëndimore të vendit që siç thashë mbjelljet tani janë në pikun e tyre”, thotë eksperti Ndoc Fasllia.
Por ajo që është e rëndë, sipas ekspertit, është kushti për të pasur 5 dynymë tokë bujqësore në një bllok të vetëm për të përfituar para nga shteti. Kjo sipas tij përjashton shumë fermerë që tokën e kanë të shpërndarë.
“70 përqind e familjeve fermere në Shqipëri, ka më pak se 5 dynym tokë bujqësore. 70 përqind e familjeve fermerë, e kanë këtë tokë të shpërndarë në 2 apo 3 parcela. Pra, ky kriter, ky kufizim i vendosur në këtë vendim, nxjerr jashtë skemës së subvencioneve automatikisht 70 përqind të fermerëve”, vijon eksperti Fasllia.
Në skemën e re të mbështetjes për fermerët është parashikuar edhe financim deri në 20 milionë lekë të reja për ngritjen e linjave të përpunimit. Kjo metodë mbështetjeje sipas ekspertit, rrezikon të dështojë për një arsye shumë të thjeshtë: mungesën e prodhimit.
“Aktualisht afër gjysma e linjave ekzistuese të përpunimit, punojnë me kapacitet 20-30 përqind në vit jo më shumë. Pse? Sepse mungon prodhimi. Pra, në vend që të mbështetet prodhimi vendas, mbështetjes së prodhimit, i jepet përpunimit”, thotë ai.
Top Channel