Google njoftoi përditësimin e shfletuesit Chrome duke e pasuruar atë me një shtojcë që do të bllokojë reklamat abuzive kur përdoruesi lundron në internet.
Gjiganti amerikan i teknologjisë thotë se ka përfunduar nga puna me realizimin e atij që njihet si “ad-block”, që do të mundësojë bllokimin automatik të reklamave që bezdisin përdoruesit.
Shtojca e Chrome do të funksionojë në bazë të standardeve të vendosura nga “Koalicioni për një Reklamim më të Mirë”, një nismë e përbashkët mes Google dhe Facebook për të luftuar abuzimet me reklamimin.
Google thotë se faqet e internetit që përdorin reklama shqetësuese dhe që nuk plotësojnë standardet e vendosura nga ky koalicion kanë 30 ditë kohë për t’i hequr ato. Pas këtij afati, bllokimi nis automatikisht.
Aktualisht në treg funksionojnë disa shtojca bllokuese për reklamat abuzive gjatë shfletimit, por që të gjitha janë nga palë të treta dhe jo nga Google.
Top Channel