Ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, vettingu nuk do të ketë asnjë efekt, që do të thotë se rezultatet e deritanishme të organeve të vettingut për të, nuk mund të konsiderohen finale nëse ai është apo jo i përshtatshëm për drejtësinë.

Ishte dorëheqja e Llallës për të mos u emëruar gjyqtar Apeli, që e vendosi Komisionin e Pavarur të Kualfikimit përpara një vendimi të padiskutueshëm për të ndërprerë procesin e vettingut ndaj tij.

Verdikti u mor nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të vettingut dhanë dorëheqjen katër gjyqtarë e prokurorë, të cilët nuk i dorezuan dosjet e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Nuk dihet ende nëse precedenti i dorëheqjes do të përsëritet tashmë që procesi është në prag të seancave të hapura dhe ku pritet që rezultatet për pasuritë e lidhjet e njerëzve të drejtësisë të bëhen publike.

Ajo që dihet është rezultatet e vettingut janë administrative që do të thotë do të ketë vendim nëse çdo i kontrolluar është, apo jo i përshtatshëm për drejtësinë.

Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.

Largimi i Llallës nga drejtësia solli menjëherë reagimin e ambasadorit amerikan, i cili në një postim në Twitter kujtonte se askush nuk mund t’i shpëtonte drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA