Gjermania shton numrin e medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike të Pyoengchangut.
Në garën dyshe në disiplinën e Luge, ky shtet siguroi medaljen e artë dhe të bronztë. Më të mirët e kësaj gare u treguan Wendl dhe Arlt me kohën 45 sekonda e 877 të mijtat, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi çifti Egert-Beneken. Mes dy çifteve gjermane, me medaljen e argjendtë u pozicionuan austriakët Penz dhe Fichler.
Tjetër medalje të artë Gjermania e fitoi në garën e kombinuar, që është një ndërthurje e kërcimit nga trampolina me ski dhe garës Cross Couuntry 10 km. Ai që ia dhuroi këtë medalje skuadrës gjermane ishte Erik Frenzel, me 24 minuta e 51.4 sekonda. Në vendin e dytë u rendit japonezi Watabe, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi austriaku Klapfer.
Në disiplinën e Snowboard Halfpipe shkëlqeu amerikani Shaun White, i cili fitoi medaljen e artë, e treta për të pas Lojërave Olimpike të Torinos dhe Vankuverit, në 2006 dhe 2010. Në vendin e dytë u rendit japonezi Hirano, ndërsa në të tretin australiani Scotty James.
Në patinazhin e shpejtësisë vijon dominimi holandez. Në garën e 1000 m për femra, medaljen e artë e fitoi Ter Mors, me 1 minutë, 13 sekonda e 56 të qindtat. Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën japonezet Kodaira dhe Takagi.
Në renditjen e përgjithshme, Gjermania kryeson bindshëm me 8 medalje ari, 2 argjendi dhe 3 bronzi. Në vendin e dytë është ngjitur Norvegjia, me 5 medalje ari, 7 argjendi dhe 4 bronzi, ndërsa e treta është Holanda me 5 medalje të arta, 4 të argjendta dhe 2 të bronzta.
Top Channel