Qeveria britanike e konsideron Rusinë përgjegjëse për sulmin masiv kibernetik që goditi kompanitë më të mëdha të globit qershorin e vitit 2017.
Sekretari shtetëror për Commonwealthin dhe OKB-në, Tariq Ahmad nxori një deklaratë përmes të cilës sulmi i faturohet Moskës.
Aty shpjegohet se Rusia e drejtoi fillimisht hovin e saj te kompjuterat në Ukrainë, por goditja u përhap më pas shumë shpejt jashtë kufijve.
Virusi i quajtur “NotPetya” preku grupin britanik të publiciteteve “WPP”, prodhuesin e “Oreo” Mondelez, prodhuesin farmaceutik amerikan “Merck” dhe kompaninë botërore të transportit “FedEx”.
“Sulmi shkatërrues u maskua si shpërblesë, por qëllimi i tij ishte kryesisht të shkaktonte kaos”, thuhet në deklaratën që përcjell qëndrimin e ekzekutivit britanik.
“Kjo situatë na shtyn të ritheksojmë pozitën e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj se, aktiviteti keqbërës kibernetik nuk do të tolerohet”, vazhdon mesazhi i Londrës.
Moska zyrtare i mohoi kategorikisht akuzat, duke i cilësuar të pabaza dhe asgjë më shumë sesa thjesht vazhdim i fushatës së rusofobisë, siç e quajti zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Top Channel