Italia fiton medaljet e para në Lojërat Olimpike dimërore të Pyeongchangut.
Në garën e patinazhit të shpejtësisë 500 m për femra, Ariana Fontana i dha medaljen e artë vendit të saj, duke e fituar këtë garë me 42.5 sekonda, për të lënë në vendin e dytë holandezen Van Kerkhof, e cila mori medaljen e argjendtë, ndërsa medalja e bronztë u fitua nga kanadezja Kim Boutin.
Medalja tjetër e fituar nga sportistët italianë ishte ajo e argjendtë e marrë nga Federico Pellegrino në garën e Cross Country Sprint për meshkuj. Fitorja e medaljes së artë i takoi norvegjezit Klaebo, ndrsa atë të bronztë e fitoi rusi që garoi nën flamurin olimpik, Aleksander Bolshunov. Ndërsa në Cross Country Sprint për femra, ajo që fitoi ishte suedezja Stina Nilsson, e cila la pas norvegjezen Falla dhe Yulia Belokurova, rusen që garon me flamurin e IOC.
Adoleshentët amerikanë duket se janë mbretër të snowboard-it. Pas suksesit të Gerrard në Slopestyle, i takoi 17-vjeçares Chloe Kim që të fitojë medaljen e artë në kategorinë e Snowboard Halfpipe me 98.25 pikë të grumbulluara. Në vendin e dytë u rendit kinezja Liu Jiayu me 89.75pikë, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi amerikania Arielle Gold.
Në renditjen e përgjithshme të medaljeve kryeson Gjermania me 5 medalje ari, 2 argjendi dhe 2 bronzi, e ndjekur në vendin e dytë nga Holanda me 4 medalje të arta, 4 të argjendta dhe 1 të bronztë, ndërsa në vendin e tretë janë SHBA, me 4 medalje ari, 1 argjendi dhe 2 bronzi.
Top Channel