Tonga, stuhia e tmerrshme rrafshon godinën e Parlamentit

13/02/2018 13:14

Stuhia më e ashpër në 60 vite që përplaset mbi Tonga, e ka rrafshuar krejtësisht ndërtesën e drunjtë të Parlamentit, në vendin e vogël në jug të Paqësorit.

Cikloni “Gita”, një stuhi e kategorisë së katërt, u përplas mbi ishull gjatë natës e shkaktoi dëme të konsiderueshme. Erërat e forta kanë shkulur çatitë e disa shtëpive, ndërsa linjat e rrëzuara të energjisë elektrike lanë zona të tëra në errësirë.

Qeveria kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që përpara mbërritjes së stuhisë dhe kishte ngritur qendra emergjence, ku mijëra vetë kaluan natën.

“Era ishte e tmerrshme, – i tha radios “New Zealand” banorja Mary Fonua. – E dëgjonim sesi gjëmonte mbi kokat tona derisa pastaj e shkuli të gjithë çatinë”.

Cikloni me erëra që kapërcenin 200 kilometrat në orë ishte më i forti i përplasur mbi ishullin kryesor të Arkipelagut të Tongas, që nga fillimi i regjistrimeve moderne.

Ndërtesa e shkatërruar e Parlamentit ishte më shumë se 100-vjeçare. Për momentin nuk dihet se ku do të mblidhen deputetët vendas, ndërkohë që godina do të rindërtohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA