NBA, Golden State nuk ndalet. San Antonio bie në Utah

13/02/2018 11:42

Golden State nuk tregoi aspak mëshirë në ndeshjen e saj të radhës me Phoenix Suns në NBA.

Në “Oracle Arena” të Oaklandit, skuadra kaliforniane shkatërroi atë nga Arizona me rezultatin 129-83, duke shënuar fitoren e tretë radhazi, ndërkohë që për Phoenix kjo ishte disfata e 6 radhazi.

Lojtarët e Golden State ishin të papërmbajtshëm në parket, ndërsa 5 basketbollistë të saj e mbyllën sfidën me statistika dyshifrore.

Stephen Curry shënoi 22 pikë; Omri Casspi regjistroi një bilanc me 19 pikë e 10 topa në tabelë; Durant shënoi 17 pikë; ndërsa Thompson e Young e mbyllën sfidën me nga 16 pikë secili.

Në krahun tjetër, për Phoenix, Paytin me 19 pikë, 8 topa në tabelë e 5 asiste dhe Warren me 14 pikë nuk ishin të mjaftueshëm për të evituar këtë humbje të thellë me një diferencë prej 46 pikësh.

Për Utah Jazz duket se nuk ka pengesa në rrugën e saj drejt kualifikimit për në fazën e “play off”-eve. Në Salt Lake City, Utah mposhti San Antonion 101-99, duke e çuar në 10 numrin e fitoreve të njëpasnjëshme.

Ndeshja ishte emocionuese, me Jazz që kryesuan gjatë dy periodave të para të ndeshjes, ndërkohë që u pa edhe reagimi i San Antonios, që arriti të marrë avantazhin prej 8 pikësh në fund të periodës së tretë.

12-minutëshi i fundit ishte vërtet dramatik, që pati një finale drithëruese, në të cilën vendimtar u bë Donovan Mitchell, shënuesi i 3 pikëve kyçe që i dhanë fitoren Utah Jazz. Ishte pikërisht Mitchell njeriu i kësaj sfide, me 25 pikë të shënuar, ndërkohë që spikatën edhe Ingles me 20 pikë e Favors me 19.

Për San Antonion, që pësoi humbjen e dytë radhazi, u paraqitën mirë Anderson me 16 pikë, Pau Gasol me 15 pikë e 15 topa në tabelë, si dhe Green me 13.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA