Kuvendi ka hapur procedurën për plotësimin e një vendi vakant, nga katër që i mungojnë aktualisht Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të Parlamentit saktësohet nisja e procedurës për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Vladimir Kristo.

Aplikimet, të shoqëruara me dokumentacionin e përkatës, duhet të paraqiten brenda datës 15 mars 2018 në zyrën e protokollit të Kuvendit. Më pas, lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë brenda 30 ditëve nga hapja e procedurës së aplikimit. Lista, bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Aktualisht, Gjykatës Kushtetuese i mungojnë 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej, duke e vendosur këtë institucion kyç në një ngërç.

Në fund të javës së kaluar, Presidenti Ilir Meta hapi garën për dy vende vakante që i takojnë Presidencës.

Me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë vetting-un. Burimet nga grupi socialist i thanë Top Channel javën e shkuar se janë gati të pranojnë përkohësisht gjyqtarë pa vetting, por qëndrimi i tyre përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese do të varet nga rezultatet e kontrollit.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me shumicë të cilësuar dhe vullnetin për të mos e lënë Gjykatën Kushtetuese të bjerë në kolaps e kanë shprehur edhe demokratët. Konsensus ose jo, kjo do të përcaktohet nga emrat e kandidatëve që do të renditen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA