NBA, Cleveland i prish festën Bostonit për Pierce

12/02/2018 10:59

Boston-Cleveland ishte supersfida e mbrëmjes së radhës në NBA.

Në “TD Garden”, ndeshje që ishte një përsëritje e finales së Konferencës së Lindjes sezonin e kaluar, nisi me një ceremoni për të nderuar Paul Pierce, duke tërhequr fanellën e këtij basketbollisti, një festë të cilën Cleveland mendoi ta prishë duke fituar bindshëm përballjen me Celtics, 121-99, ku bënë një paraqitje shumë të mirë edhe ardhjet e reja të “Cavaliers”-ave.

LeBron James e mbylli ndeshjen me 24 pikë, 10 asiste e 10 topa në tabelë, ndërkohë që spikatën edhe Jordan Clarckson, Rodney Hood dhe George Hill. Për Bostonin, Terry Rozier shënoi 21 pikë, ndërsa Kyrie Irving u mjaftua këtë radhë me 18 pikë personale.

Toronto mposhti Charlotte 123-103 dhe e sheh veten në krye të klasifikimit të Konferencës së Lindjes. Skuadra kanadeze, që shënoi fitoren e 5-të radhazi të saj, ishte dominuese në përballjen me “Hornets”-at, gjë që e tregon edhe diferenca prej 20 pikësh në rezultatin përfundimtar të sfidës.

Charlotte mundi të rezistojë shumë pak në këtë ndeshje, duke ia dorëzuar shumë shpejt frenat e lojës skuadrës së Torontos, për të cilën u dalluan DeRozan me 25 pikë, Valanciuans me 21 dhe CJ Miles me 24, me këtë të fundit që e nisi ndeshjen nga stoli.

Oklahoma City arriti të fitojë ndeshjen e saj të radhës në NBA ndaj Memphis, edhe pse nuk kishte në dispozicion Carmelo Anthony dhe Russell Westbrook.

Në “Chesapeake Energy Arena”, Oklahoma e pati shumë të lehtë të mposhtte “Grizzlies”, duke e mbyllur ndeshjen 110-92. Oklahoma i mbylli llogaritë e ndeshjes praktikisht që në periodën e parë, kur krijoi një diferencë prej 17 pikësh, ndërkohë që në 3 të tjerat vetëm sa administroi avantazhin e krijuar.

Njeriu i ndeshjes për Oklahomën u bë Paul George, me 33 pikët e shënuara, ndërkohë që për Memphis, që shënoi humbjen e 6 radhazi, më i miri ishte Marc Gasol me 18 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA