Kanionet e Osumit janë pasuri kombëtare. Por heronjtë që i mbrojnë dhe i kanë shndërruar ato në gjenerator të zhvillimit ekonomik për zonën, janë një grup i vogël njerëzish, nismetarët e sportit të raftingut.
“Dhe presim tani që të dalë vendimi për revokimin e lejes së ndërtimit të këtij HEC-i, sepse vërtetë ishte një skandal që të ndërtohej një HEC i tillë. Isha i sigurtë që do të reagonin, sepse atje është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit, jo vetëm për zonën, por për të gjithë Shqipërinë”, thotë Zamo Spathara nga Federata e Raftingut.
Në 30 vjet një pjesë e madhe e pasurive publike të Shqipërisë janë vënë në shërbim të një grushti njerëzish përmes privatizimeve korruptive, apo kontratave monopol. Kjo babëzi kërcënon edhe kanionet, mbi të cilat është dhënë leja për ndërtimin e dy hidrocentraleve
“Në momentin që flasim për turizëm na prek të gjithëve nga pak, ndërkohë që kur flasim për HEC, HEC-i ndikon tek një apo dy persona dhe gjithë të tjerët i prek për keq”, deklaron Etmira Kanani, Federata e Raftingut.
Kanionet mbeten ndër rastet e pakta ku pasuritë natyrore janë në shërbim të publikut dhe prodhojnë përfitime ekonomike për qytetarët dhe jo një pakicë interesash korruptive.
“Kanionet e Osumit janë një shtysë e madhe për njerëzit që të shkojnë dhe t’i vizitojë. Janë rreth 17 mijë vizitorë në sezonin e kaluar. Është një mundësi punësimi për të rinjtë, zhvillimi ekonomik, kulturor”, shton Etmira.
“Duke marrë parasysh fillimet tona dhe deri tani ajo zonë është zhvilluar. Janë ndërtuar shumë hotele, shumë restorante dhe rinia është angazhuar dhe është bërë pjesë, ose si të thuash ajo zona atje e Çorovodës është bërë pjesë e këtij sporti”, thotë Ervis Deliu.
Bëhet fjalë për një model suksesi që mbron natyrën, zhvillon ekonominë e zonës dhe shndërrohet në burim frymëzimi për të rinjtë
“Kanionet e Skraparit janë një nga atraksionet kryesore që zhvillojnë turizmin në zonën e Skraparit. Unë aktualisht jam duke u trajnuar në fushën e turizmit dhe sigurisht që e shoh veten time në këtë fushë në të ardhmen”, deklaron Xhuljana Mustaj.
Top Channel