Gjykata, dosjet “mal”. Tek administrativja, 12.700 çështje të mbartura

11/02/2018 15:18

Gërdeci nuk është mbyllur ende për Sabri Kodrën dhe familjen e tij, të cilëve drejtësia nuk po u jep një vendim të formës së prerë mbi padinë disa vjeçare për dëmet që ju shkaktuan nga shpërthimi i 15 Marsit 2008.

Prej dy vitesh ai pret t’i vijë radha në Gjykatën e Apelit Administrativ, pavarësisht se ligji ka caktuar 90 ditë afat, brenda të cilës duhet të marrin një zgjidhje gjyqësore në të treja shkallët.

“Gjyqi i Gërdecit nuk ka fund. Procesi ka nisur pjesërisht, vazhdon prapë, ka shkuar deri këtu. Në shkallën e parë zgjati 2 vjet,” shprehet Sabri Kodra.

Si Sabri Kodra, presin të kalojnë në seancë gjyqësore pretendimet e 12.700 qytetarëve. Por Gjykata e Apelit Administrativ për shkak të stokut të krijuar në 2014 menjëherë sapo u hapën këto gjykata, i kërkon ndihmë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të ndërhyjë duke i deleguar 10 gjyqtarë të përkohshëm.

“Koha nuk pret në asnjë moment sepse afatet janë tej çdo limiti të arsyeshëm dhe aktualisht janë duke u gjykuar çështje të vitit 2015-2016, pra në një afat më shumë se sa një vit dhe për një pjesë të tyre edhe mbi 2 vjet,” thotë Kastriot Selita, Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ.

Situata po rëndohet ditë pas dite për shkak të një vendimi të Gjykatës së Lartë që i kaloi të gjitha çështjet civile administrative në Gjykatën e Apelit Administrativ, e vetmja që gjykon edhe dosjet që vijnë nga rrethet.

Aktualisht në këtë gjykatë po gjykohen çështjet e 2015, që do të thotë se me këto ritme një qytetar që ka ngritur padi në 2018 do të zvarritet për të dalë në seancë deri në 2020.

Me një stok të paprecedentë është edhe Gjykata e Lartë, në sirtartet e të cilës, janë arshivuar dhe po presin dosjet e 21 mijë qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA