Në spitalin e Gramshit mungon mjeku reanimator, mjeku okulist, imazherist, endrokrinolog, dermatolog, gastrohepatolog, nefrolog e urolog, pra me pak fjalë, në spitalin e Gramshit nuk ka mjekë.
Edhe pse është një zonë e largët me fshatra të thellë malorë, në rast nevoje pacientët nuk mund të gjejnë shërbim në këtë spital.
“Kemi kontaktuar dhe me spitalin rajonal të Elbasanit dhe na është premtuar që një herë në javë, tani ka nisur kjo procedurë, për të sëmurët kronikë, të bëhet një plan dhe të vendosim datat e caktuara ku të vijnë mjekët specialistë të Elbasanit për ti dhënë zgjidhje problemit”, thotë Ahmeli Shtylla, shef i shërbimit spitalor.
Përkohësisht në këtë spital është mundur të gjendet një zgjidhje për mjekët kardiolog, neonatolog dhe pediatër duke lidhur kontrata me mjekët që tashmë kanë dalë në pension.
Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, spitali i Gramshit, ashtu si edhe spitale të tjera në vend ku ka mungesa, do të “huazojë” mjekë nga rrethet e tjera për të kryer konsulta sipas një grafiku të përcaktuar.
Top Channel