Cleveland nuk lodhet shumë në ndeshjen e radhës së NBA ndaj Atlanta Hawks.
Skuadra nga Ohajo e fitoi këtë përballje me rezultatin 123-107 dhe si gjithnjë ai që udhëhoqi Cavaliers drejt suksesit ishte LeBron James, i cili këtë radhë e mbylli sfidën me 22 pikë, 12 topa në tabelë e 19 asist. Për Atlantën, ai që spikati ishte Dennis Schroder me 25 pikë të shënuara, por që nuk i shërbyen skuadrës së Hawks. Cleveland me këtë fitore mbetet në vendin e tretë të Konferencës së Lindjes, pas Toronto Raptors dhe Boston Celtics.
Ky i fundit u ndal nga Indiana në “TD Garden” me rezultatin 91-97. Skuadra e Pacers kishte në një ditë të shkëlqyer Victor Oladipon, i cili u bë protagonisti absolut i sfidës me 35 pikë e 10 topa në tabelë, ndërkohë që mjaft mirë u paraqit edhe Young. Për Bostonin u dallua si zakonisht Kyrie Irving me 21 pikë, por kjo paraqitje nuk e ndihmoi skuadrën e Celtics që tashmë vendin e parë në Lindje ia ka lëshuar Torontos.
Los Angeles Clippers është në një moment pozitiv. Skuadra kaliforniane mundi Detroit Pistons me rezultatin 108-95, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi. Lou Williams ishte më i miri në parket me 26 pikë, ndërkohë që dha kontributin e tij edhe italiani Gallinari me 16 pikë, 4 topa në tabelë e 2 asist në 28 minuta lojë. Në krahun tjetër, për Detroit më i miri ishte Blake Griffin, ish-lojtar i Clippers, me 19 pikë, 8 topa në tabelë e 6 asist. Pas kësaj fitoreje, LA Clippers e sheh veten në vendin e 7 në Konferencën e Perëndimit.
Top Channel