Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban është i bindur se marrëveshja për importin e gazit natyror nga Rumania do t’i japë fund “monopolit të gazit rus në Hungari”.

“Me modesti, por edhe kënaqësi të madhe, ju them se epoka e kësaj varësie do të mbyllet”, u shpreh Orban, duke theksuar se Hungaria planifikon të sigurojë mbi 4 miliardë metra kub gaz në vit nga Rumania e, për rrjedhojë, të përmirësojë “situatën e vet gjeostrategjike”.

Kjo, për shefin e ekzekutivit hungarez, përbën një situatë krejtësisht të re, jo vetëm për Hungarinë, por për mbarë rajonin. Importet nga Rumania pritet të mbulojnë gjysmën e nevojave të vendit deri në vitet 2021-2022.

Hungaria, nga sa pohon Orban, i ka ndërtuar tashmë lidhjet e tubacionit me Rumaninë dhe se kjo e fundit është duke ngritur strukturat e saj. Hungaria është aktualisht tejet e varur nga Rusia për importet e naftës dhe gazit, e Moska është ajo që po zgjeron centralin e vetëm bërthamor hungarez.

Janarin e vitit 2009, vendi u detyrua të përdorte rezervat e tij strategjike të gazit kur importet europiane nga Rusia u pezulluan përkohësisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes Moskës dhe Ukrainës, vendi tranzit i furnizimit me gazin rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA