Veliaj në Forumin Botëror të Urbanistikës, Tirana një nga 3 nga qytetet që ka pësuar ndryshime

09/02/2018 13:16

Tirana është përzgjedhur nga Forumi Botëror i Urbanistikës, si një nga 3 qytetet që ka pësuar më shumë ndryshime vitin e fundit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Kuala Lumpur të Malajzisë, si i ftuar në Forumin Botëror të Urbanistikës.

Në fjalën e mbajtur në forumin ku morën pjesë drejtues vendorë, investitorë, organizata joqeveritare dhe ekspertë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm urban, kryebashkiaku Veliaj prezantoi projektet transformuese të Tiranës dhe vizionin për të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur që Tirana është përzgjedhur si një nga 3 qytetet që ka pasur më shumë ndryshime në vitin e fundit në Forumin Botëror të Urbanistikës. Jam shumë krenar për këtë. Gjithashtu, jam i ndërgjegjshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, por sot ishte një mundësi për të treguar se me pak vullnet, me dëshirë dhe me një bashkëpunim nga i gjithë komuniteti, duke filluar nga fëmijët deri te pensionistët, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona”, tha Veliaj, duke nënvizuar bindjen se ky ritëm i punëve në Tiranë, e radhit atë në një nga qytetet që kanë realizuar shumë ndryshime dhe reforma në një periudhë të shkurtër.

Kryebashkiaku vlerësoi se Forumi Botëror i Urbanistikës ishte një mundësi e vyer për të folur për mënyrën se si në Tiranë janë realizuar në një kohë të shkurtër projekte të mëdha, edhe me përfshirjen e biznesit dhe aktorëve të ndryshëm.

“Ishte një mënyrë për të folur për mënyrën se si në një kohë të shkurtër kemi realizuar projekte të mëdha si sheshi “Skënderbej”, projekti i Pazarit të Ri, Bulevardi i Ri, dhe shumë vepra të infrastrukturës, për mënyrën se si është përfshirë edhe biznesi, se si shumë kompani adoptuan një kopshët a çerdhe, për mënyrën se si fëmijët kanë pasur një rol fantastik avokatie për ditët pa makina, e që më vonë u përkthye në më shumë hapësira pedonale apo gjithë betejat për kënde lodrash që sot janë kthyer në një akupunkturë për qytetin. Të gjitha këto na bëjnë të ndihemi krenarë, sepse sot kemi një qytet më të jetueshëm”, shpjegoi ai.

Këtë vit pritet që në rrugët e qytetit të Tiranës të qarkullojë edhe një flotë prej 4 mijë biçikletash, ndërkohë që një nga projektet më ambiciozë që ka nisur nga puna është zgjidhja përfundimtare brenda pjesës së parë të vitit 2019 e çështjes së mësimit me dy turne në shkolla.

Por, një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të infrastrukturës, ku sikurse është bërë tashmë traditë, edhe gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për rehabilitimin e 50 blloqeve të reja të banimit, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Axhenda e Re Urbane, e cila ishte kryetema e Forumit Botëror të Urbanistikës, u miratua në Tetor 2016 në Konferencën e OKB-së mbi Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm mbajtur në Ekuador. Kjo axhendë shihet si një mjet për përmbushjen e qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe ka ne thelb krijimin e qyteteve që shërbejnë si makineri prosperiteti dhe qendra të mirëqenies sociale, ndërkohë që në fokus kanë edhe mbrojtjen e mjedisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA