Pas Kanioneve të Osumit këmbanat e alarmit bien për edhe për Kanionet e Nivicës në Tepelenë, një tjetër monument natyror i mbrojtur me ligj që prej vitit 2002.

Në vitin 2012 qeveria “Berisha” ka dhënë leje për ndërtimin e 5 hidrocentraleve. 2 prej këtyre lejeve, për hidrocentralin Driza 1 dhe Këndrevica u konfirmuan në nëntor 2015 nga qeveria “Rama”, kur ministria e Kulturës, e drejtuar nga Mirela Kumbaro autorizoi projektin e hidrocentralit Driza 1 në pellgun ujëmbledhës të përrenjëve të Nivicës dhe Gusmarit.

Autorizimi i Ministrisë së Kulturës ishte i nevojshëm, sepse në zonë ndodhen rrënojat e një qyteti antik krejtësisht të paeksploruar, që sipas studiuesit Auron Tare është i ngjashëm me Butrintin.

Por, Ministria e kulturës autorizoi hidrocentralin me argumentin se punimet nuk cenojnë rrënojat antike. Nga ana tjetër projektet kundërshtohen nga Bashkia e Tepelenës, që duhet të ishte e interesuara e parë për këto investime që do t’i sillnin bashkisë disa të ardhura shtesë nga qiraja e tokës.

Por, Bashkia që drejtohet nga socialisti Tërmet Peçi ka shkuar më larg duke refuzuar të japë tokën me qira, me argumentin se do ta zhvillojë për turizëm.

Kompania që do të ndërtojë hidrocentralin e Këndrevicëse ka hedhur Bashkinë në gjyq. Pra jemi në një rast të ngjashëm me atë të Kanioneve të Osumit, kur segmente brenda të njëjtës forcë politike që qeveris vendin, janë në pozicione antagoniste.

Në tetor 2016 emisioni investigativ Fiks Fare në Top Channel i kushtoi një material të zgjeruar ndërtimit të këtyre hidrocentraleve në Kanionet e Nivicës, ku folën shumë aktorë, ndër të tjerë edhe ata që e kundërshtojnë këtë projekt: studiuesi Auron Tare, eksperti i mjedisit Laert Shehu dhe kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi.

Auron Tare: Mendoj që është një lajthitje që ka ndodhur në atë kohë.

Laert Shehu: Duke u bërë një derivacion i burimeve natyrore, si me kanal, edhe me tubacione të poshtme, i bie që në një pjesë të mirë të vitit, ndoshta edhe për gjithë vitin, lugina të ketë mungesë të rrjedhës së ujit.

Tërmet Peçi, kryetar i Bashkisë së Tepelenës: Ne jemi duke hartuar një projekt për t’i dhënë prioritet turizmit malor.

Kanionet e Nivicës u vizituan në tetor të vitit të kaluar nga një ekspeditë ndërkombëtare, që Top Channel e filmoi dhe do të sjellë në javët në vijim një material të zgjeruar në revistën e përjavshme Exclusive.

Sipas ekspertëve të huaj, ujëvara e Nivicës, rreth 220 metra e lartë është një nga më të lartat në Europë dhe e paeksploruar. Këtë vit janë parashikuar 4 ekspedita të reja për eksplorimin e Kanioneve të Nivicës dhe ujëvarës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA