Kreu i Parlamentit katalanas këmbëngul se presidenti i rrëzuar i rajonit të pasur spanjoll, Carles Puigdemont mbetet i vetmi kandidat i mundshëm për të formuar qeverinë e re në Katalonjë, teksa ribënte thirrje për një zgjidhje të negociuar politike ndaj krizës së mëvetësimit.
Roger Torrent, i cili u bë kryetar i Parlamentit pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, tha për britaniken “The Guardian” se, teksa shpreson për dialog me shtetin spanjoll, Katalonja ka nevojë urgjente për një qeveri të re që t’i japë fund sundimit të drejtpërdrejtë të Madridit.
Rajoni ndodhet nën kontrollin e qeverisë spanjolle që prej fundit të muajit tetor të vitit të kaluar, kur kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy iu përgjigj nismës së njëanshme të Puigdemontit për pavarësi, duke shfrytëzuar nenin 155 të Kushtetutës për të shkarkuar administratën separatiste dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Kemi nevojë urgjente për një qeveri, që do të jetë efektive dhe që do të eliminojë nenin 155 të mbizotërojë në spektrin politik të Katalonjës”, tha Torrent.
“Carles Puigdemont është kandidati i vetëm. Ai është propozuar nga shumica parlamentare dhe, në një demokraci parlamentare, kandidati i gatshëm për t’u investuar në këtë debat është ai që komandon mbështetjen e shumicës së deputetëve në Parlament”, tha më tej ai.
Gjithsesi, kandidimi i Puigdemontit është thellësisht problematik. Ai jeton në ekzil të vetimponuar në Bruksel prej më shumë se 3 muaj, e përballet me arrestimin mbi akuzat për “kryengritje, rebelim dhe shpërdorim fondesh publike” në momentin e parë që do të rikthehet në Spanjë.
Qeveria spanjolle ka refuzuar vazhdimisht të pranojë rikthimin e tij në detyrë, duke kërkuar nga Parlamenti katalanas të zgjedhin një “kandidat të pastër”. Në fund të janarit, Torrent shtyu seancën e planifikuar për të zgjedhur Puigdemontin, duke thënë se ai nuk kishte marrë garancitë e nevojshme ligjore për t’u investuar në formimin e qeverisë.
I pyetur nëse do të jetë diçka e lehtë dhe e shpejtë t’i jepet fund sundimit të drejtpërdrejtë nga Madridi nëse zgjedhin një kandidat tjetër, Torrent tha se nuk është detyra e tij si kryeparlamentar të vendosë se kush duhet të garojë për Presidencën. Megjithatë, ai shtoi se, votuesit katalanas e bënë të qartë preferencën e tyre në zgjedhjet e dhjetorit, në të cilat partitë pro pavarësisë morën sërish shumicën parlamentare.
Top Channel