Ujëvarat bëhen hidrocentrale. Te kanionet e Osumit, ku do të ndërtohen HEC-et

08/02/2018 19:55

Kamera e Top Channel ka shkuar në brendësi të kanionit të Osumit, tek ujëvara e Bigasit, një nga 3 ujëvarat që pretendohet të preket nga ndërtimi i dy HEC-eve në kanion.

Kanioni ka një gjatësi prej 26 km dhe vetëm 13 km janë të shfrytëzueshme. Turistët vijnë për të bërë rafting, në këto 13 km shohin 8 ujëvara, 3 prej të cilave janë ato më të famshme e ku turistët harxhojnë më shumë kohë për të bërë foto. Ato janë ujëvara e Bigasit, ajo e të dashuruarve dhe ujëvara shampanjë.

Zamo Spathara, drejtuesi i Federatës “Rafting Albania” na tregon se e gjithë gjurma për ndërtimin e dy HEC-eve, përveçse është devijuar, prek dhe 3 prej ujëvarave, të cilat janë elemente të atraksionit turistik në kanionin e Osumit, i cili ka edhe statusin monument natyre.

“Në këtë vend do të ndërtohet me beton, ku do të futen të gjitha aparaturat që do të prodhojnë energji. Pra ky kanion nuk do të jetë më 3.000-vjeçar, sepse kishte vite që flinte. Falë nesh u bë i njohur. Kjo ndikon shumë, sepse s’do të ketë më ujëvara ku do të rrinë turistët, nuk do të bëjnë më foto, s’do të ketë më bukuri”, tha Zamo Spathara, drejtues i Federatës “Rafting Albania”.

Megjithatë, Zamo shpreson se ka ende kohë për një reflektim nga qeveria, për revokimin e lejes së HEC-eve.

“Është një nga gjërat më të këqija që do t’i ndodhë këtij vendi. Ndaj mendoj se është një neglizhencë që do të rregullohet, sepse askush nuk pranon që të prishen pronat dhe të prishen këto bukuri. Ku do të drejtoheni? Ne jemi shumë dhe ka shumë që e duan këtë kanion, ndaj do ta ndjekim me rrugë ligjore”, tha më tej Zamo Spathara.

Banorët e zonës së Çorovodës, por edhe bizneset mendojnë se ndërtimi i hidrocentraleve është një rrezik i madh për kanionin.

Bashkia e Çorovodës, që drejtohet nga LSI-ja, është kundër rrymës. Bashkia nuk mendon për të ardhurat që mund të vjelë nga turizmi, por qiranë e tokës që do t’i marrë koncesionarit.

“Ne jemi hallka e fundit këtu. Kontrata e qirasë është lidhur në datën 27 qershor 2016. Ne jemi zbatues në atë hallkën që thashë për t’i marrë tarifën e përdorimit të fondit pyjor”, thotë Shkëlqim Cuku, nënkryetar i Bashkisë së Çorovodës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA