Elbasan/ Shkatërrohet grupi kriminal, sekuestrohen armë, drogë e 82 kallëpe tritoli

08/02/2018 10:15

Policia e Elbasanit ka goditur një grup të strukturuar kriminal duke vënë në pranga pesë persona, e duke sekuestruar lëndë plasëse, lëndë narkotike, municione luftarake dhe vlera monetare.

Nëndrejtori i polivisë së Elbasanit, Edmond Suloaj bëri të ditur finalizimin e operacionit të koduar “Porosia”.

“Si rezultat i këtij operacioni të finalizuar me sukses pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe 1 u shpall në kërkim. Ata janë Geraldo Yzeirllari, 20 vjeç, banues në Pogradec, Kristi Maxhari, 21 vjeç, banues në Pogradec, Kristian Petani, 22 vjeç, banues në Pogradec, Edmond Abazi, 39 vjeç, banues në fshatin Hudenisht, Pogradec, Gazmor Kokla, 39 vjeç, banues në fshatin Gribë, Gramsh. Arrestimi i tyre u krye nga forcat e posaçme në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh”, tha Sulaj.

Geraldo Yzeirllarit dhe Kristi Maxhari u janë gjetur dhe sekuestruar 82 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse, e llojit tritol. Ndërsa Edmond Abazit i është gjetur dhe sekuestruar 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së Gazmor Kokla, në Gramsh janë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 pushkë me 440 fishekë, 3 automjete, 15 celularë si dhe sasi e konsiderueshme lekësh.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal është shpallur në kërkim shtetasi E.H., 20 vjeç banues në Pogradec, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA