Aq përshtypje i ka bërë Donald Trumpit parada ushtarake në Ditën e Bastijes, vitin e kaluar, sa i ka kërkuar Pentagonit të organizojë një shfaqje të ngjashme në Uashington DC.
Procesi i planifikimit është në fillesat e tij, megjithatë, kërkesa e shefit të Shtëpisë së Bardhë për Departamentin e Mbrojtjes ka qenë ta eksplorojë një herë idenë.
Demokratët nxituan ta krahasonin përpjekjen e tij me demonstrimin ushtarak të kombeve autokratike.
Përpara se të konfirmohej nga Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, planin e kishte zbuluar gazeta “Washington Post”.
“Presidenti Trump – konfirmoi Sanders, – është mbështetës i anëtarëve të shërbimit të Amerikës, që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të mbajtur vendin tonë të sigurtë. Ndaj dhe i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes të shohë mundësinë e një feste, në të cilën të gjithë amerikanët të mund të tregojnë vlerësimin e tyre”.
Ishin mediet vendase, ato që e lidhën këtë ide me admirimin e Trumpit për paradën ushtarake që ai ndoqi në Paris, në korrik të vitit të kaluar.
Ngjarja që shënoi 100-vjetorin e përfshirjes së Amerikës në Luftën e Parë Botërore ishte konceptuar në mënyrë të tillë, që trupat të marshonin nëpër “Champs-Élysées” të shoqëruar nga dhjetëra automjete ushtarake, fluturime avionësh ushtarakë dhe kalorësi tradicionale të montuar.
“Ishte një nga paradat më të mëdha që kam parë”, tha më vonë Trump. “Ne do të duhet të përpiqemi të shkojmë dhe më lart sesa aq”.
Top Channel