Dy nga organet ndihmëse të vettingut, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive detyrohen të japin informacion për njerëzit e drejtësisë edhe tek Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Vendimi është dhënë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili vendosi pro ankimimit të Komitetit të Helsinkit, që më herët kërkoi informacion statistikor.
Pyetjet kyç të KSHH ishin sa prej njerëzve të drejtësisë konsiderohen të papërshtatshëm pasi kanë lidhje të dyshimta me persona të krimit të organizuar dhe sa prej tyre nuk justifikojnë pasuritë?
Sipas njoftimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, kjo është beteja e parë e fituar nga publiku . Në fillim të vitit, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj tha për Top Channel se organet ndihmëse të vettingut kishin refuzuar të jepnin informacion, pavarësisht se janë të detyruara t’i bëjnë publike statistikat.
Kjo gjë nuk i ndalon këto organe, sipas Skëndajt, ndonëse raportet e tyre ndodhen ende nën shqyrtim nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit.
Komisioneri shprehet se parimi i transparencës është i rëndësishëm, jo vetëm për opinionin, por edhe në kuadër të rezultateve të zbatimit të reformës në drejtësi.
Top Channel