Reforma në administratë, Rama: Zyrtarë të qeshur dhe të “pastër” nga vettingu

07/02/2018 11:41

Një ditë pas publikimit të strategjisë së zgjerimit të Bashkimit evropian drejt Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën kushtuar reformimit të shërbimeve. Kryeministri zgjodhi të mos thotë asnjë fjalë për strategjinë, por u ndal te reforma në administratë, që është megjithatë një nga 5 përparësitë e Shqipërisë për çeljen e negociatave me Brukselin.

Administrata është i pari prej 5 prioriteteve të Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, por Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për strategjinë e zgjerimit publikuar një ditë më parë në Bruksel. Ai u fokusua te reforma në administratë që ka ndërmarrë Qeveria.

“Ne shkurtojmë 1360 vjet pritje në një vit të vetëm. Duke shkurtuar duart e shtetit në jetën dhe në xhepin e qytetarëve dhe sipërmarrjes. Është një reformë anti-tepsi e mirëfilltë”, u shpreh Rama.

Pjesë e skenografisë ishin edhe disa qytetarë që kishin zgjidhur zvarritjen nga administrata përmes ankesave në platformën online të bashkëqeverisjes.

Rama ishte i vetëdijshëm se për qytetarët problem nuk është vetëm korrupsioni në administratë.

“Do fillojnë edhe ankesat për sjelljen edhe për buzëqeshjen, më tha mirëmëngjes, por më pa keq. Edhe për këto do ketë sanksione”, theksoi Rama.

Kurse korrupsioni i zyrtarëve të lartë, sipas kryeministrit ka ilaç vetëm reformën në drejtësi dhe vettingun, bashkë me ndëshkimet që do të pasojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA