“Space X” e bëri përsëri! Kompania avangarde e sipërmarrësit miliarder amerikan, Elon Musk, arriti të papriturën me lëshimin e suksesshëm të raketës së saj të re, “Falcon Heavy”, nga Qendra Hapësinore “Kennedy” e Floridës.
Gjigandi i qiellit, më i fuqishmi që prej sistemit “Shuttle”, u ngrit pa asnjë incident mbi oqeanin Atlantik. Për mediet e huaja, ky ishte një lëshim perfekt.
Raketa më e madhe aktualisht që ngrihet nga Florida u nis drejt hapësires me në bord makinën e Muskut, një “Tesla Roadster” e kuqe, një manekin të veshur me kostum hapësinor e të lidhur me rrip në vendin e parë dhe me muzikën “Life on Mars” të David Boëie në sfond.
Rreziku për fluturimin e rrallë nuk ishte i vogël. Vet “Space X” e kishte pranuar përpara lëshimit se sfidat e hasura gjatë krijimit të raketës së re bënin që mundësitë e suksesit në ngritje të ishin 50 me 50.
Njerëzit erdhën nga i gjithë globi për të parë ose një nisje spektalore rakete, ose një spektakël të vërtetë fishekzjarresh.
“Në mendje më vinte vetëm imazhi i një shpërthimi gjigant në platformë, – tha vet Musk për gazetarët. – Por fatmirësisht, kjo nuk ndodhi”.
Me këtë lloj debutimi, “Falcon Heavy” kthehet në mjetin më të aftë për lëshim në dispozicion sot për sot. Ajo është projektuar të dërgojë në orbitën e ulët të Tokës një ngarkesë maksimale prej 64 tonësh, ekuivalenti i vendosjes së 5 autobusëve dykatësh londinezë në hapësirë.
Një performancë e tillë është pak më shume se ajo e raketës tjetër më të fuqishme në botë, “Delta IV Heavy”, por sipas Musk, me një të tretën e kostos. Përmes një postimi në “Twitter”, presidenti Donald Trump e uroi “Space X” për këtë lëshim, duke e cilësuar si një moment që tregon edhe njëherë gjenialitetin amerikan.
Top Channel