Vrasja e 40-vjeçarit Devi Kasmi duket se është urdhëruar nga burgjet greke, siç njofton e përditshmja prestigjioze greke, “Kathimerini”, e cila iu referohet zyrtarëve të lartë të policisë greke që po ndjekin çështjen me shumë interes.
Megjithëse nuk jepen hollësi të shumta, sipas tyre, vrasja me pagesë e Kasmit është urdhëruar nga keqbërës shqiptarë që vuajnë dënimet në institucionet penitenciare greke.
Ndërkohë, “Kathimerini” jep edhe detaje të reja për dosjen e pasur penale të ish-policit grek, Efthymiou Efthymious, që akuzohet për vrasjen e Kasmit.
41-vjeçari me origjinë nga një fshat pranë Artës, në Greqinë Jugperëndimore, ka hyrë në forcat e policisë greke në vitin 2004 dhe shërbente në rajonin e policisë në zonën “Syntagma”, në qendër të Athinës. Deri në vitin 2011, kur është pushuar nga detyra, është çuar tri herë në bordet disiplinore të policisë greke për shkelje të shumta.
Për herë të parë, Efthymiou Efthymious është arrestuar nga zyrtarët e Drejtorisë së Punëve të Brendshme në qershor të vitit 2008, me akuzën për trafik droge, trafikim emigrantësh të paligjshëm dhe falsifikim.
Një vit më vonë, ai u arrestua përsëri për posedim dhe trafik të lëndëve narkotike në Doganën e Kapshticës, ndërsa në mars të vitit 2012 u arrestua në Aeroportin “Eleftherios Venizelos” gjatë ekzekutimit të një urdhërarresti të autoriteteve gjermane, me të njëjtën akuzë, për të cilën thuhet se ka kryer një dënim disamujor në Gjermani.
Në vitin 2016 është arrestuar në qytetin e Artës me akuzën e përfshirjes në një rrjet të madh kriminal me grekë dhe shqiptarë, e ka trafikuar kryesisht kokainë. Megjithëse është dënuar dhe ka kryer përsëri burg, ai është liruar pasi Gjykata e Janinës e ka dënuar vetëm me 4 vite heqje lirie me kusht.
Top Channel