Drejtori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan kanë analizuar hetimet e deritanishme, për të përcaktuar se si do të veprojnë më tej.
Për këtë çështje ka 3 të arrestuar, kurse verifikime po bëhen edhe për ish-ministrin e LSI Edmond Haxhinasto, që u pyet sot nga Top Channel për herë të parë për këtë çështje.
Zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ishin në një takim të mbyllur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Kreu i kësaj drejtorisë kundër krimit ekonomiko-financiar në Policinë e Shtetit Lufti Minxhozi mori pjesë në analizën që u zhvillua për veprimet e mëtejshme hetimore që do të ndërmerren për këtë çështje, ku prokuroria llogarit se shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 80 milionë euro dhe ku janë arrestuar tre ish-zyrtarët e lartë të rrugëve Dashamir Xhika, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.
Të tre këta pritet të dalin para gjyqtares Iliriana Olldashi për t’u njohur me masën e arrestit të shpallur në mungesë. Por ndërkohë verifikime që mbahen sekret po kryhen edhe për ish-ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili dyshohet se nuk ka vepruar pavarësisht auditeve të herëpashershme ku konstatohej dëm ekonomik dhe lëvrime tenderash të mbivendosura. Por ish-ministri që është deputet i lëvizjes socialiste per integrim u shpreh i gatshëm për t’u verifikuar.
“S’më shqetësojnë fare as hetimet dhe as verifikimet. Unë kam bërë drejtimin politik të ministrisë. Gjithkush është i lirë të verifikojë. Gjithë veprimtaria ime është bërë mbi bazën e dokumenteve që janë atje. Të verifikohen, unë jam i gatshëm. Por gjithashtu duhet t’ju them se koha e drejtësisë popullore kur ngriheshin thashethemnaja dhe njerëzit goditeshin qoftë moralisht qoftë fizikisht ka përfunduar bashkë me sistemin e kaluar. Unë jam këtu, do jem këtu. Nqs kjo do të degjenerojë ne goditje politike unë do t’i përgjigjem politikisht shumë rreptë”, u shpreh Edmond Haxhinasto.
Zyrtarisht për rrugën Tiranë-Elbasan deri më tani janë nën hetim tre ish-zyrtarë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet. Ndërkohë dosja tjetër Elbasan-Gjinar ka nën hetim po për shpërdorim të fondeve 11 persona që nga dy ish-drejtorë të përgjithshëm të autoritetit të rrugëve deri tek njerëzit që i certifikuan punimet të rregullta, megjithëse aty mungonte investimi.
Top Channel