Bashkimi Europian, kërkon nga partitë politike që të reforma zgjedhore të adresojë siç duhet çështjen e financimit të partive dhe fushatës zgjedhore.
Përfaqësuesja e BE në Shqipëri, qortoi faktin e mosadresimit të rekomandimeve në zgjedhjet e fundit.
“Rekomandime të rëndësishme, ai i OSBE-ODHIR dhe ai i 2014-s i Komisionit Europian për korrupsionin, u adresuan pjesërisht në këto zgjedhje”, u shpreh Monika Bylaite, delegacioni i BE.
Për kreun e KQZ, Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike duhet të integrohen në një të vetëm.
“Nevojitet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, transparencë paraprake e fondeve të fushatës nga partitë politike”, tha Klement Zguri, kryetar i KQZ.
Por përfaqësuesit e partive politike, përtej dakordësisë që japin për miratimin e kuadrit të ri ligjor me reformën zgjedhore, vijojnë me akuzat e vjetra. Bledi Çuçi preku çështjen e lobimeve për partitë.
“Të rregullojmë dhe të flasim dhe ta shtrojmë si çështje edhe problemin e lobimit që është një problem madhor”, u shpreh Bledi Çuçi, Bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Ndërsa për opozitën reforma zgjedhore duhet të vrasë një herë e mirë, futjen e parave te jashtëligjshme tek partitë politike.
“Paraja e paligjshme që është sot e disponueshme ne tregun politik shqiptar është e jashtëzakonshme. Një volum gjigant i cili ka ndikuar thelbësisht jo vetëm financimin e partive, por edhe rezultatin zgjedhor”, tha Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore.
Top Channel