Gjatë vizitës së tij në SHBA, ministri i shtetit për Diasporën Pandeli Majko është takuar edhe me shoqatën APEN, e cila ka si qëllim bashkimin dhe promovimin e shqiptarëve profesionistë, të tillë si sipërmarrës apo artistë.

Ministri Majko theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve vjetore ku të trajohen tema të rëndësishme që prekin komunitetin shqiptar në SHBA. Kjo sipas tij, do të ishte një mënyrë efikase për konsolidimin e marrëdhënieve të Shqipërise me diasporën e saj.

Krijimi i një rrjeti të studentëve jashtë vendit, do të përfaqësonte sipas ministrit Majko një hap konkret drejt konsolidimit të bashkëpunimit. Ai i informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë deri më tani në bashkëpunim me qeverinë. “Duam të ndryshojmë konceptin e të menduarit si komb e po studiojmë modelet e trajtimit të diasporës’, ishin fjalët e z. Majko.

U fol gjithashtu për planet e krijimit të një Dhome të Tregtisë dhe mbi Fondin për Diasporën. Drejtuesja e APEN Etrita Ibroci e vuri theksin tek rëndësia e organizimit të një samiti ku do të diskutohej për projekte konkrete për diasporën. Ministri tha se ishte e nevojshme përfshirja më e madhe e të rinjve, të cilët mund të parashtrojnë idetë e tyre mbi zhvillimin e komunikimit të drejtpërdrejtë. Takimi u mbajt në ambjentet e përfaqësisë sonë diplomatike në Nju Jork, ku binin në sy fotografitë e artistit të njohur shqiptar Fadil Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA