Qeveria gjermane shprehu rezerva lidhur me strategjinë e re të Komisionit Europian për Ballkanin, e cila prezantohet sot në Strasburg me synimin t’i japë një shtysë integrimit të vendeve të rajonit në BE.

Dokumenti pritet të japë afate kohore vetëm për Serbinë e Malin e Zi, duke përmendur si datë të mundshme anëtarësimin e tyre në bllokun europian brenda vitit 2025.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të thuhet vetëm se Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimin e nisjes së negociatave, pa përvijuar afate.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, i cituar nga “Deutsche Welle”, e ka bërë të qartë se këta kandidatë kanë ende për të bërë reforma të zgjeruara në vendet e tyre.

“Nuk do të ketë anëtarësime automatike për shkak të datave që janë vendosur më parë”, ka deklaruar ai.

Berlini zyrtar e konsideron të një rëndësie kyçe perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, por sipas Seibert, strategjia për Ballkanin e Komisionit Europian duhet të studiohet një herë mirë, kur të paraqitet këtë të martë.

Edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane këmbënguli se janë të nevojshme reforma në fushat kryesore, si shteti ligjor, aftësia e konkurrencës dhe bashkëpunimi rajonal.

Nga sa arriti të mësojë “Zëri i Amerikës”, që në hyrje të “Strategjisë për Zgjerimin” saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”.

Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite, “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare”, duke veçuar tri drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA