Pas 10 muajsh nga nisja e procesit gjyqësor, prokuroria ka mundur të paraqesë në seancë kërkesën për gjykim ndaj dy ish drejtuesve çek të CEZ-it, Josef Hejsek dhe Jan Ivan.
Ata akuzohen për mashtrime me pasoja të rënda. Prokurorja e çështjes, ka parashtruar në mënyrë të përmbledhur akuzat si dhe dëmet e shkaktuara nga dy ish drejtuesit e CEZ në bashkëpunim edhe me ish administratorin e DIA, Kastriot Ismailaj.
“Dy të pandehurit Jan Ivan dhe Josef Heisek akuzohen që në bashkëpunim me Kastriot Ismailajn kanë konsumuar veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda. Ata kanë paguar fatura në vlerën e 5 milionë eurove, për punë që nuk janë kryer asnjëherë”, tha Antoneta Sevdari, prokurorja e çështjes.
Sipas prokurorisë dy ish drejtuesit e CEZ që do të gjykohen në mungesë, kanë paguar me vetëdije faturat e Kastriot Ismailajt duke ditur se punët nuk ishin realizuar. Bashkëpunëtori i tyre në këtë veprimtari, Kastriot Ismailaj vitin e kaluar u dënua nga gjykata e Tiranës me 11 vite burgim dhe konfiskimin e rreth 5 milionë dollarëve.
Top Channel