Avokatët nxisin Trumpin të mos dëshmojë para Mueller

06/02/2018 13:20

Avokatët e presidentit Donald Trump po përpiqen ta bindin që të mos bjerë dakord për t’u intervistuar nga prokurori special, Robert Mueller, pjesërisht edhe për shkak të frikës se ai mund të inkriminojë veten përmes deklaratave të rreme dhe mund të akuzohet se gënjeu hetuesit.

Të paktën kështu shkruan “New York Times”, e cila bazuar në burimet e veta raporton se avokatët e Trumpit pretendojnë se ekipi i Mueller nuk ka arritur ende në nivelin e duhur për të marrë në pyetje presidentin.

“New York Times” shkruan se avokatët e presidentit duan që ai të refuzojë një intervistim të gjatë nga ekipi i Mueller, me besimin se, nëse Trump nuk pranon marrjen në pyetje, zor se Mueller do të guxojë të nxjerrë një thirrje zyrtare për presidentin.

Muajin e shkuar, pas shumë spekulimesh, vet Trump tha se donte që të fliste me prokurorin special Mueller dhe se ishte i gatshëm ta bënte këtë nën betim.

Prokurori special Robert Mueller po heton për koordinimin e mundshëm të drejtuesve të fushatës së Trumpit dhe Rusisë për zgjedhjet e vitit 2016, si dhe dyshimet për pengim drejtësie nga presidenti.

Ndërsa hetimi intensifikohet, gjithnjë e më shumë vëmendje është drejtuar te mundësia e intervistimit të vet presidentit. Sipas medieve amerikane, prej javësh Mueller u ka dërguar avokatëve të presidentit një sërë temash, për të cilat ai dëshiron t’i bëjë pyetje në intervistë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA