Transferimi i të burgosurve, marrëveshja mes Shqipërisë e Britanisë nuk funksionon

05/02/2018 11:40

E ideuar si një hap që do t’i kursente buxhetit të shtetit britanik 25 milionë stërlina, marrëveshja e nënshkruar në Londër mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, për transferimin e të burgosurve shqiptarë në ishull drejt burgjeve shqiptare, duket se ka dështuar sipas tabloidit “The Sun”.

Vetëm 23 të burgosur, nga 100 të piketuar atëherë, janë dërguar në burgjet shqiptare, në bazë të marrëveshjes së vitit 2013.

“Shumë të burgosur shqiptarë e kundërshtojnë transferimin, i cili praktikisht duhet bërë me pëlqimin e tyre, duke pretenduar për ndikimin që një trasferim i tillë do të ketë në të drejtat e tyre njerëzore, apo duke kërkuar azil me pretendimin se janë nga Kosova”, shkruan “The Sun” e Londrës.

Por një pjesë e të burgosurve, realisht refuzojnë të kthehen në Shqipëri për të vuajtur dënimin edhe për shkak të kushteve në burgjet shqiptare, krahasuar me ato britanike, apo edhe nga frika për sigurinë personale, kur veprat e tyre penale kanë të bëjnë me trafikun e drogës.

Sipas shifrave më të fundit, nëpër burgjet britanike ndodhen 716 shqiptarë dhe një pjesë e madhe e tyre janë vrasës të dënuar, persona që kanë kryer vepra penale të natyrës seksuale dhe trafikantë droge me dënime të gjata, ndërkohë disa kanë edhe dënime të pavuajtura nga gjykatat shqiptare për vepra penale të kryera në Shqipëri.

Gazeta “The Sun” citon ish-ministrin e Burgjeve në vitin 2013, Jeremy Wright, këshilltar ligjor i Mbretëreshës, të ketë thënë se “bashkëpunimi me autoritetet nga Shqipëria ishte vendimtar në negociatat për arritjen e asaj marrëveshjeje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA