Afro 20 banesa që ndodhen buzë lumit Erzen janë përmbytur sërish në qytetin e Shijakut. Ndonëse reshjet nuk kanë qenë intensive këtë fundjavë, ujërat e Erzenit kanë vërshuar gjatë natës brenda banesave duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Banorët ndjehen të rrezikuar e të pavlerësuar për dëmet që pësojnë në mënyrë të vazhdueshme për shkak të daljes së lumit nga shtrati.

Pas tërheqjes së ujit, gjithçka ndodhet nën pushtetin e baltës. Familjarët e kanë të pamundur ta përballojnë të vetëm situatën. Grupet e punës po ndihmojnë banorët për të pastruar baltën e mbetjet e shumta dhe po bëjnë verifikimin e dëmeve.

“Situata është nën kontroll. Me urdhër të veçantë u ngrit grupi i punës. Jemi në shërbim të të prekurve nga përmbytja e radhës. Janë 20 familje që janë përmbytur dhe kjo është bërë e vazhdueshme. Zgjidhja konsiston në zbatimin e një projekti për pastrimin e shtratit të lumit Erzen dhe sjelljen e tij në parametrat e duhur”, u shpreh Shpresa Domi, nënkryetare e Bashkisë Shijak.

Shkarkimet e pakontrolluara në Erzen, hedhja e mbetjeve urbane dhe ndërhyrjet pa kriter në shtratin e lumit dhe rrjetin e kanaleve kulluese janë shkaktarë të kësaj situate.

“Ndërhyrjet pa kriter, ndërtime anës lumit, janë probleme të mbartur ndër vite”, u shpreh Nazmi Kondo, përgjegjës i Emergjencave Civile Shijak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA