Andej nga buron Vjosa, në malet e Pindit në Greqi reshjet kanë pushuar. Shkrirja e dëborës brenda pak orëve shkaktoi në Shqipëri përmbytjen e radhës.
Në shtrat ka më pak ujë që do të thotë se përmbytja poshtë rrjedhës së tij nuk do zgjerohet.
Megjithatë në Vlorë janë ende dhjetëra banesa nën ujë. Ato janë të rrethuara tërësisht nga ujërat për të dytën herë këtë vit. Përmbytjet po bëhen periodike në gjithë zonën. Në rrugët e fshatit Fitore mund të lëvizet vetëm me varka.
Vërshimi i ujërave të shtunën dhe të dielën në këtë fshat futi 70 shtëpi nën ujë. Për pak minuta lartësia e ujit mbërriti në dy metra. Banorët larguan me shpejtësi çtë mundnin, ndërsa mëngjesin e së hënës mbi fshatin fitore kishte dalë dielli, por në shtëpitë ku uji është tërhequr ka mbetur balta.
Në zonë ka ende dhjetëra banesa nën ujë. Në disa zona thellësia shkonte në një metër e gjysmë, duke bërë të rrezikshëm kalimin e njerëzve.
Megjithatë banorët përpiqen të rikuperojnë dëmet e mëdha. Përveç orendive ata kanë humbur sërish ushqimin e bagëtive, ndërsa tokat e kultivuara janë shkatërruar. Edhe pas largimit të ujit në zonën situata nuk përmirësohet sepse tokat e mbytura nga balta bëhen të papërshtatshme për kullotje.
Top Channel