Moska vuan nga dëbora, edhe pse e mësuar me acarin

05/02/2018 11:50

Kryeqyteti rus është mësuar me të ftohtin, por reshjet e dendura të shiut dhe dëborës, të regjistruara atje së fundi, ishin një rekord edhe për Moskën vet.

Një person humbi jetën e 5 të tjerë u lënduan nga kushtet ekstreme të motit, që fajësohen për rrëzimin e mbi 2.000 pemëve.

Gati gjysmë metri dëborë, më shumë se gjysma e mesatares mujore, mbuloi brenda vetëm 24 orësh kryeqendrën e Rusisë. Sasia më e madhe e borës kjo për një periudhë kaq të shkurtër kohe e shënuar ndonjëherë, që prej fillimit të regjistrimeve.

Një prej fotove të shkrepura nga banorët tregon sesi Katedralja e famshme e Shën Bazilit në “Sheshin e Kuq” nxjerr kryet pas një pirgu bore. Moti i keq u bë shkas edhe për ndërprerje masive të energjisë elektrike në qindra fshatra përreth Moskës.

Me dhjetëra fluturime patën vonesa në aeroportet e kryeqytetit rus. Por, pavarësisht shqetësimeve që shkaktuan bora dhe ngricat, nuk ishin të paktë moskovitët, të cilët e përjetuan me kënaqësi këtë moment, duke e bërë të qartë përmes medieve sociale se ishin të gëzuar që po shikonin rikthimin e dimrit të vërtetë rus, pas zbutjeve të pazakonta sezonale të motit këto vitet e fundit.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA