Lojërat Dimërore, edhe kreu i Asamblesë së Veriut do të jetë në Seul

05/02/2018 08:35

Presidenti i Asamblesë Popullore të Koresë së Veriut, Kim Jong-nam do të vizitojë Seulin gjatë javës, duke u bërë udhëheqësi më i lartë i shtetit komunist që ka ndaluar ndonjëherë në vendin fqinj.

Peniani e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e çeljes së Lojërave Olimpike Dimërore të premten.

Dy vendet, tensionet mes të cilave çuan në një përshkallëzim aq të ndjeshëm të retorikave pak kohë më parë, sa u mendua se po shkonin në prag lufte, do të marshojnë në këtë ngjarje të madhe sportive me të njëjtin flamur.

Një zhvillim i tillë sinjalizon padyshim një çtensionim të ndjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, por ekspertët janë të bindur se ai nuk do të ketë ndonjë ndikim mbi ambiciet bërthamore të Veriut të izoluar ndërkombëtarisht.

90-vjeçari Kim Jong-nam ka përjetuar sundimin e 3 udhëheqësve koreano-veriorë gjatë karrierës së tij. Ai ka qenë që prej vitit 1998 president i Parlamentit “de jure” të vendit, që praktikisht ka shumë pak fuqi në duart e veta.

Ndryshe nga Kim Jong-un, që nuk lëviz jashtë kufijve, Jong-nam udhëton vazhdimisht drejt vendeve të tjera për vizita shtetërore, e fundit e të cilave ishte në Iran.

Vizita e tij shihet në thelb si shenjë e vullnetit të mirë të Penianit për shkrirjen e akujve në marrëdhëniet ndërkoreane. E gjithë kjo vjen pasi Kim Jong-un i zgjati Seulit një “degë ulliri” përmes mesazhit të Vitit të Ri, ku shprehej i hapur për dialog e njoftonte dërgimin e një ekipi në Lojërat Dimërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA