Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka firmosur kontratën e koncesionit për rrugën e Arbrit, pas përfundimit të procesit të negociatave me kompaninë fituese në garë.

Kontrata u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka.

“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh ministri i MIE, Damian Gjiknuri.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një të vështirë, një vepër të rëndësishme por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike, një nga veprat më të realizuara në Shqipëri.

“Është një vepër që do të kushtojë 240 milion euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

“Siç tashmë publiku është i njohur, kemi disa projekte të cilat ne gjatë këtij viti do ti tenderojmë, do ti negociojmë, do ti kontraktojmë dhe jam i bindur që viti 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. Unë i uroj shumë suksese kompanisë dhe jam i bindur se do kemi një projekt të suksesshëm dhe sëbashku do shkojmë tek qytetarët dibranë për tu dhënë lajmin e mirë”, nënvizoi Gjiknuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA