Britaniku Lauri Love, një “hacker” i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, fitoi apelin e tij në Gjykatën e Lartë kundër ekstradimit në Amerikë.
Love, 33-vjeçar nga Suffolku, u arrestua në vitin 2013 me dyshimin se kishte kryer sulme kibernetike ndaj FBI-së, NASA-s dhe Bankës Qendrore Amerikane.
Love u diagnostikua në Britani me sindromën “Aspergers”, një formë autizmi, dhe duket se kjo gjendje e shpëtoi nga ekstradimi në SHBA, ku rrezikonte rreth 90 vite burg për shkeljet për të cilat akuzohej.
Gjykatësit e Gjykatës së Lartë britanike thanë se nuk mund të lejonin ekstradimin, që do të ishte tejet i rëndë, për shkak të gjendjes së tij fizike dhe psikologjike.
“Pranojmë se provat e siguruara tregojnë se ekstradimi do të shkaktonte depresion të rëndë dhe Love mund të vendoste të vriste veten, këtu apo në Amerikë”, shkruhet në vendimin e gjykatës, që i kërkoi Prokurorisë britanike ta padisë penalisht të akuzuarin në vendin e tij.
Kritikët thonë se mohimi i ekstradimit të Love vendos një precedent të rrezikshëm. Edhe nëse dënohet në Britani për krimet e kryera në SHBA, me gjendjen e tij psikologjike të pranuar nga gjykata, maksimumi do të mbyllet në ndonjë qendër rehabilimi apo në arrest shtëpie.
Kjo gjë, sipas ekspertëve nxit të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë dhe më pas të kërcënojnë me vetëvrasje për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Top Channel