Ky nuk është momenti për t’u humbur, nëse Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian synojnë realisht arritjen e një marrëveshjeje për “Brexit”. Kjo është deklarata e kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, dhënë përpara bisedimeve me Theresa Mayn dhe David Davis në Londër.
Ai shtoi gjithashtu se, personalisht i respekton “vijat e kuqe” të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe rregullat e BE-së duhen respektuar njëkohësisht.
Mes pretendimeve për mungesë uniteti brenda konservatorëve, “Downing Street” kishte këmbëngulur më herët se Britania nuk do të jetë në të njëjtin union doganor me BE-në.
May përballet ende me thirrjet për të zbuluar më shumë detaje të asaj se çfarë kërkon nga bisedimet, përpara shkëputjes së Britanisë nga blloku europian në mars të vitit 2019.
Kryeministrja dhe Sekretari për “Brexit”-in, David Davis janë duke u takuar me Barnierin përpara zhvillimit të raundit të ardhshëm të negociatave.
Bisedimet e kësaj jave mes zyrtarëve do të fokusohen për herë të parë në periudhën e “tranzicionit”, që pritet të zgjasë nga 18 muaj deri në 2 vite, me kërkesat respektive të palëve pas zyrtarizimit të “Brexit” më 29 mars të vitit 2019.
Çështjet kyçe duket se përfshijnë të drejtat e europianëve, me Britaninë që këmbëngul se shtetasit e BE-së që do të mbërrijnë në ishull gjatë kësaj periudhe nuk duhet të kenë të njëjtat privilegje, si ata që kanë mbërritur përpara ditës së “Brexit”-it.
Por, përpara se të nisej për në Londër, Barnier theksoi se “koha” është thelbi i gjithçkaje.
“Kemi shumë punë përpara, kështu që për këtë arsye kemi vendosur të përshpejtojmë kontaktet”, tha ai. “Ne duam të arrijmë një marrëveshje, të respektojmë udhëzimet e Këshillit të BE-së, si dhe rregullat e tregut të përbashkët europian. Kështu që, edhe njëherë mund të them se nuk duhet të humbasim as edhe një minutë”.
I pyetur mbi vendimin e Britanisë për të përjashtuar çdo union të përbashkët doganor, ai sugjeroi se ky nuk përbën lajm për të.
“Ne duhet të respektojmë ‘vijat e kuqe’ të qeverisë britanike, por edhe ata duhet të respektojnë rregullat e bllokut europian”.
Top Channel