Vjosa e Shkumbini rikthejnë përmbytjet; situatë më e rënduar në Fier e Vlorë

04/02/2018 19:45

Reshjet që përfshinë të gjithe vendin në fundjavë kanë shkaktuar sërish përmbytje kryesisht në Vlorë dhe Fier, ku situata u rëndua gjatë orëve të pasdites së të dielës, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa.

Informacionet nga Fieri të dielën në mbrëmje flisnin për një avancim të ujit rreth 500 metra deri te Kthesa e Qarrit, 45 shtëpi të izoluara dhe të përmbytura nga uji. Nën pushtetin e ujit ishte edhe stacioni i pompave të ujit të pijshëm në Kafaraj, aty ku Fieri ndahet me Vlorën.

Për përballimin e situatës janë angazhuar më shumë se 150 efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura për evakuimin e dhjetëra familjeve në Novoselë.

Në fier janë evakuuar banorët buzë Urës së Mifolit dhe banorët e fshatit Ferras, por në rrezik janë 7 fshatra.

Përmbytja nga Vjosa u rrezikoi jetën dy personave në zonën e Selenicës, pasi rrymat e ujit morën para automjetin me të cilin udhëtonin Liliana dhe Bashkim Muhaj.

Banorë të zonës janë përpjekur t’i nxjerrin nga uji, por ka qënë e pa mundur. Edhe përpjekjet për shpëtimin e çiftit me anë të helikopterit kanë dështuar. Më pas u ndërhy me një motobarkë dhe pas katër orësh dy personat u nxorrën nga uji në gjendje të rëndë shëndetësore dhe transportuan drejt Tiranës me helikopter.

Edhe lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati pranë urës së Rrogozhinës, ku janë përmbytur tokat bujqësore. Banorët te frikësuar kërkojnë ndihmë për të ndrequr argjinaturën që e kanë prishur ata vetë për të kaluar bagëtitë gjatë verës. Shkumbini ka marrë me vete edhe një urë të varur në fshatin Polis në Librazhd.

Në Gjirokastër rruga nacionale në hyrje të qytetit, që në orët e paradites ishte e pakalueshme për mjetet të vogla. Bashkia i ka kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në territor nisur nga situata komplekse e rrëshqitjeve të dheut në tri lagje.

Gjendja më problematike paraqitet në rrugët drejt fshatit Zhulat, Paleokastër, rrugën drejt Parkut të Antigonesë dhe Unazën e Gërhotit, aktutalisht e bllokuar nga inertet.

Edhe Lumi Osum në Berat arriti pikën kritike. Të dielën lumi kurseu lagjet e Beratit, por jo Urën Vajgurore, ku ka marrë para toka e shtëpi.

Probleme nga reshjet janë ka edhe në rrethin e Matit. Në Bashkinë Klos lumi ka dalë nga shtrati. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Albert Çollaku nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë në këtë ritëm evakuimi i banorëve është i pashmangshëm.

Në njësinë administrative Baz në fshatin Karicë të rrethit Burrel, 5 anëtarët e një familjeje presin evakuimin pas rrëshqitjes së dheut mbi banesë.

E gjithë kjo situatë ka vënë në gadishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka dërguar në Fier, Vlorë e Shkodër grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë-së dhe të Delta Forcë me automjete të larta dhe varka e gomone.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA