Një vit pa Dritëroin, aktivitet në Muzeun Kombëtar

04/02/2018 16:04

Një ditë pas përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të poetit dhe shkrimtarit Dritëro Agolli, figura të njohura të artit, familjarë dhe miq u mblodhën në Muzeun Historik Kombëtar, ku u organizua një aktivitet në nder të figurës së Dritëroit, mes fjalësh dhe poezish të shkruara nga vet autori i madh.

Por nuk munguan as kujtimet e së bijës, shprehje që për të duken të gjalla edhe sot.

“Me librin e mirë dhe fjalën e lirë bëhesh shenjtor, e ky shenjtor, tanimë me plot gojën thënë, është babai im Dritëro”, u shpreh e bija e Dritëroit, Elona Agolli.

Për drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, gjenitë e artit nuk vdesin.

“Një vit pa Dritëroin është i vështirë të kuptohet, pasi njerëzit në përgjithësi mësohen me ikonat e gjalla të tyre, kur i kanë”, tha drejtori Dorian Koçi.

“Ai nuk ka humbur, por është i tretur në dheun e vet, në Devollin e tij, në Shqipërinë tonë”, tha Xhevat Lloshi, gjuhëtar.

Margarita Xhepa, mikesha e tij në art, por edhe në jetë, e kujton Dritëroin e saj mes lotësh dhe vargjesh nga poezia e tij.

“Ne të gjithë Tokës i themi nënë, sepse nëna na mëkon. Çdo gjë asaj ia kemi ngrënë, ajo heshtur na mbulon”, tha aktorja Margarita Xhepa.

Në vitin e parë të ndarjes së tij nga jeta, edhe Revista letrare “Pelegrin” i ka dedikuar të gjitha faqet e saj figurës së Dritëroit, i cilësuar si një nga shkrimtarët dhe poetët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA