Koreja e Veriut ka blerë teknologji për programin e saj bërthamor dhe atë të armëve, përmes Ambasadës në Berlin.
Lajmi vjen nga kreu i shërbimeve sekrete gjermane, Hans-Georg Maassen, i cili tha se shumë prej këtyre aktiviteteve ishin ndalur, por jo të gjitha ishin diktuar.
Shefi i spiunëve gjermanë, në një intervistë për televizionin “NDR” nuk tregoi se çfarë lloj teknologjie ishte blerë nga koreano-veriorët, por tha se ajo mund të përdorej për qëllime civile dhe ushtarake.
Koreja e Veriut vazhdon që të zhvillojë raketat dhe armët bërthamore, duke sfiduar sanksionet ndërkombëtare. Në një raport të OKB-së, të publikuar të premten, shkruhej se Koreja e Veriut fitoi të paktën 200 milionë dollarë në vitin 2017, duke eksportuar mallra të ndaluara, e në këtë tregti impikohen vende si Kina, Rusia dhe Malajzia.
“Kemi vënë re se shumë aktivitete blerjesh janë bërë nga Ambasada. Mendojmë se shumë prej tyre i përkasin programit të raketave, por një pjesë i shkojnë programit bërthamor. Kur shohim gjëra të tilla, ne i ndalojmë, por s’mund të garantojmë që i kemi diktuar dhe ndaluar të gjitha”, deklaroi shefi i shërbimeve sekrete gjermane, Maassen, në intervistën që pritet të publikohet e plotë të hënën.
Sipas një hetimi të veçantë të televizonit publik gjerman “ARD”, shërbimet sekrete vendase diktuan tentativat e para të Koresë për të blerë teknologji dhe pajisje përmes Ambasadës në Berlin në vitin 2016. Ndërkohë, një panel ekspertësh i OKB-së gjeti prova se Koreja e Veriut ka ndihmuar Sirinë për të zhvilluar armë kimike, ndërsa i ka shitur raketa balistike Mianmarit.
Top Channel