Shkolla pa instrumente, 17-vjeçari studion flaut në mjediset e ftohta

03/02/2018 15:21

Anxhelo Naqellari është 17 vjeç dhe ëndërron që një ditë të jetë flautist i një orkestre të njohur. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij, ai ke pasditen duke studiuar muzikë në mjediset e ftohta të shkollës artistike në Gjirokastër, ndërsa në mbrëmje dëgjon muzikë klasike.

Ishte 10 vjeç kur mësuesja e tij e muzikës në Përmet e inkurajoi të luante në një fyell plastik pjesë klasike. Ishte befasi që një fëmijë të luante në një instrument shumë modest me aq pasion tregon mësuesi i tij i flautit, Roland Çomo.

“Dukej që kishte një lloj talenti të fshehur brenda tij. Edhe ne u bëmë pasionant dhe në moment i them – Anxhelo ti duhet ta avancosh këtë. Çdo mbasdite Anxhelo vjen në shkollë dhe studion për orë të tëra. Kur lodhet ndonjëherë në flaut studion edhe lëndë sekondare”, shprehet Roland Çomo.

Anxhelo është fëmija i dytë i një familjeje me të ardhura modeste. Prindërit vëllai dhe motra e tij jetojnë në Përmet pasi u larguan nga fshati që të mbështesnin ëndrrën dhe pasionin e Anxhelos. 17-vjeçari nuk ka as veshje dhe as sende të modës së fundit që i ndesh rëndom në mjedisin e shkollave të mesme. Flauti është objekti më i çmuar që ka.

“Mungesa kryesore është e flautit dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt do të kem një flaut të mirë sepse ndikon shumë te mua për të studiuar”, thotë Anxhelo.

Shkolla artistike në Gjirokastër vuan mungesën e instrumenteve profesionalë. Edhe ata që janë, kanë vazhdimisht nevojë për riparime thotë Roland Çomo kështu që nxënësìt duhet të investojnë vetë nëse duan të arrijnë rezultate.

“Anxhelo bën sakrificë pasi kushtet që janë në konviktet tona nuk janë të mira dhe Anxhelo ka ndërruar 3 instrumente deri tani dhe këto ja ka blerë familja. Kjo është një sakrificë e madhe për ta”, thotë Roland Çomo.

Në shkollën artistike me 55 nxënës Anxhelo është një talent i dallueshëm për mësuesit por edhe shembulli i sakrificës dhe punës sistematike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA