Gjykata e Frankfurtit vendosi se arrat lejohet që të bien nga pemët në tokë, pasi bëhet fjalë për një fenomen natyror. Tingëllon i habitshëm angazhimi i gjykatës për diçka që edhe fëmijët e dinë, por ligjërisht çështja nuk ishte aq e qartë sa duket.
Gjithçka nisi pas padisë së një gruaje, e cila tha se arrat që binin nga pema e fqinjit të saj i kishin dëmtuar makinën.
Gruaja në fjalë e çoi çështjen në gjyq dhe kërkoi një dëmshpërblim prej thuajse 4.000 euro për dëmet që arrat i kishin shkaktuar makinës së saj. Sigurisht që fqinji nuk pranoi akuzat dhe në gjyq tha se çdo njeri me mendje në vend, e di se rënia e arrave apo frutave të tjera është rrezik natyror i jetës dhe nuk ka përgjegjës për këtë.
Gjykata, pasi vlerësoi çështjen, mbështeti pikëpamjen e të paditurit. Drejtësia gjermane, pas verifikimeve që bëri tha se pronari i pemës së arrës ishte kujdesur për të, duke i prerë degët dhe duke e mbajtur të shëndetshme e brenda normave të lejuara.
Prandaj, duke vlerësuar se rënia e arrave është proces natyror, paditësja duhet ta llogariste vet këtë dhe nuk ka fajtor tjetër veç saj. Tashmë, veç dëmeve të makinës, gruaja duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjykatës, që me ligj vendosi se arrat lejohet të bien në tokë.
Top Channel